Nëse do të kishim një klasifikim për ekipet që lëshuan më shumë tollumbace euforie në qiellin me re të kampionatit , s’ka dyshim se Dinamo do të ishte në vendin e “nderit” . Erdhi në tokën “superiore” gati e dehur, me mëndjen top se do të dilte kampione, ndoshta kështu i kishin fryrë në vesh, dhe qysh atë ditë rrëshket e rrëshket poshtë, me meritë janë të parafundit , mbajnë mbi kurriz një dyzinë me humbje, por, prapëseprapë, mbeten edhe ..krenarë!
Shiritin për t’u ngjitur në qiellin shtatë e preu trajneri Shkëmbi, një trajner që më shumë iku vetë se sa e hoqën, por mori me vete edhe “golat e munguar”,kur fali sulmuesin Skuka tek Partizani. Qysh atë ditë, rituali pas humbjeve, duket sikur ka një grafik.. Një herë shfaqet trajneri Devolli me fjalët që i bëjnë magji humbjes “mund të duket si humbje, por në fakt është një fitore nga mënyra se si luajtëm” dhe pastaj qokën hokatare e bën presidenti Bradhi , siç ndodhi në humbjen e fundit me Vllazninë, kur i vuri kapakun : “ Nuk e meritoi Vllaznia fitoren. E them me bindje se do të qëndrojmë në Superiore. Dinamo është bërë për pretendime serioze dhe jo të luftojë për mbijetesë..”
Të jesh në vendin e parafundit dhe të flasësh për qëllime serioze, për pretendime sipër dhe jo poshtë ku je, kjo është seç është! Pale kur thotë se do t’i kthejë stemën e vjetër Dinamos, sa më shpejt të jetë e mundur, kjo do të ishte mrekullia e fundit e kësaj Dinamo pa ..dinamo! Haleluja : bashkë me stemën do të vijnë edhe golat! Nuk qënka punë skeme dhe loje pazotësia e Dinamos, por qënka punë..steme !
K.Shabani