Milani fiton edhe në Napoli, përse të mos besojë tek titulli?!

Ndeshja ishte shumë e fortë, ashtu siç mund të jenë ato mes rivalëve, dhe kur përballë janë skuadra sulmuese. Milani ia doli në stadiumin “Maradona” ndaj Napolit duke treguar se karakteri dhe personaliteti kanë arritur deri aty sa nuk do të dijë se në cilën fushë luan, dhe kjo është garancia më e mirë se je për titull. Një gol i “plakushit” Olivie Zhiru” pas pushimit mjaftoi për 3 pikët, ndërsa skuadra e trajnerit Stefano Pioli e përballoi mirë atë të Spaletit. Vetë Pioli arriti të merrte pikët e para jashtë fushe ndaj trajnerit rival gjatë gjithë karrierës së përballjeve mes tyre.

Përfundoi 0-1 në fushën e Napolit, edhe pse Ibrahimoviç hyri vetëm në minutën e 90-të, edhe pse munguan lojtarë të fortë në mbrojtje si Kjer dhe Romanjoli. Në total, ishte një ndeshje ku Napoli e mbajti topin më shumë, por ku kuqezinjtë nuk mbetën prapa në provat drejt portës, madje ishin shumë më konkretë me 6 gjuajtje në kuadrat ndaj vetëm 1 të vendasve. Një ndeshje e plotë pra, asgjë që mund ta bënte fitoren të pamerituar. Milani kryeson Serinë A me 60 pikë ndaj 58 të Interit (që ka një ndeshje më pak), ndërsa Napoli ka 57.

Milani (4-2-3-1): Menja, Kalabria (Florenci 80’), Tomori, Kalulu, Hernandez, Benaser, Tonali (Kruniç 68’), Mesias (Selemekers 80’), Kesie, Leao (Ibrahimoviç 90’), Zhiru (Rebiç 68’).

Sfidanti.al