Gol në Gjykatë? FSHF rifiton “babën e nonën”, Dukën e Shulkun

Në FSHF qënka bërë një festë me shampanjë, pasi “familja zyrtare” e futbollit ka fituar të drejtën në Gjykatë që të ketë edhe ajo, si gjithë të tjerët ..”babë e nënë”. Edhe presidenti Duka, edhe sekretari Shulku, pas gjykimit në shkallën e parë do të vazhdojnë normalisht “magjinë” e tyre, që në këtë rast quhet ushtrim i detyrës, të cilën Gjykata e Apelit ia kishte privuar…me letra!

Thuhej në letra apo ndodhi që futbolli mbeti pa “nënë e pa baba”? Tamam ato ditë që ishte në fuqi ky vendim, presidenti shfaqet si fitimtar, vetintervistohet në ekran , në prag të ndeshjes me Spanjën. Fliste në mërgim, larg mureve të zyrës ovale, duke na zbuluar edhe “gralin e shenjtë” të kësaj ndeshjeje : “ Mos kini frikë se nuk do ta pësojmë si me Anglinë..”

Dhe, një zot e di, por nuk na gënjeu këtë radhë! Pësuam një humbje të “lavdishme” me Spanjën, pa patur nevojë që presidenti Duka të zhytej poshtë tek tuneli ku dalin futbollistët për në fushë, siç ndodhi me Anglinë. Një fakt i rrallë, që na duket sikur e kemi harruar, pasi edhe media angleze e pickoi pak, si me lezet: “ Presidenti shqiptar dukej sikur po hynte edhe vetë në fushë për të luajtur..”

Dhe shefat kur nuk nuk u lejohet të kenë zyra në Shqipëri, edhe futbolli katapulton përtej kufirit, për të “ngritur” zyra edhe në mërgim. Dhe Kombëtarja grumbullohet në Barcelonë për ndeshjen miqësore(mediokre) me Gjeorgjinë, për të mirën e futbollit, apo siç premton presidenti “për të ardhmen e fëmijëve të topit”, kurse Gjeorgjinë e dërguan në Durrës…!

Sfidanti.al