Thuhet se ka qetësi para furtunës, por vështirë të ketë pas saj. Disfata me Sherifin në Ligën e Europës u pasua nga një ndodhi aspak normale tek Partizani, një konflikt brenda skuadrës, madje në gjirin e vetë stafit teknik, me trajnerin Franko Lerda që duket se e ka humbur plotësisht qetësinë. Lajmet që vijnë nga kampionët e Shqipërisë, të raportuar në “Panorama Sport”, flasin për italianin tepër të nervozuar, që është përplasur fillimisht me dy prej ndihmësve të tij, Dritan Mehmetin dhe Korrado Sakonen, që të dy të mbetur nga sezoni i kaluar.
Lerda ka arritur deri aty sa t’i përzërë ndihmësit nga stërvitja që zhvillohej në kompleksin e Federatës në Kamzë, ndërsa thuhet se Mehmeti e Sakone u larguan dhe shkuan të bisedonin me presidentin Demi. Më pas, trajneri u tregua i ashpër dhe nervoz me futbollistët, duke ngritur zërin në analizën e zhvilluar për ndeshjen me Sherifin. Kuptohët, që ai ka mbetur krejtësisht i pakënaqur me paraqitjen ndaj kampionëve të Moldavisë, veçse nuk dihet nëse këto kritika me ton të lartë mund ta kthejnë skuadrën në shina, apo mund ta përkeqësojnë gjendjen edhe më shumë.
Edhe më parë, burime në ekip, madje në stafin teknik, ishin shprehur se Lerdës i mungonte stili i komunikimit me njerëzit, diçka që thuhej se kishte krijuar pakënaqësi, ndonëse 51-vjeçari lavdërohej për punën taktike. Pas dy ndeshjeve, përgjithësisht pozitive, ndaj Karabakut në Champions, atmosfera sikur u qetësua, por kjo nuk zgjati shumë.
Ish-sulmuesi i Partizanit kampion të vitit 1993, Edmond Dosti, nuk ka dyshim se çfarë po ndodh. “Ka një krisje të trajnerit me skuadrën, – tha Dosti, – uroj të jem i gabuar, por besoj se kam të drejtë. Rrezik është kampionati, se tashmë Europa e ka të shkruar historinë. Shpresoj që presidenti Demi dhe drejtori Rama të ndërhyjnë pa vonesë”.
Nuk dihet sesa kanë ndikuar përjashtimet nga formacioni të lojtarëve si Trashi, Asani apo Mensah, ndonëse burimet në klub pohojnë se problemi kryesor është komunikimi. Partizani, mesa duket, po humbet cilësinë më të mirë që pati sezonin e kaluar me trajnerin Skënder Gega, harmoninë dhe unitetin në skuadër, gjë që e ndihmoi të fitonte titullin me diferencë ndaj rivalëve, edhe pse cilësisht nuk ishte aq lart.
Lerda ka premtuar se të kuqtë do të reagojnë dhe do të kërkojnë kualifikimin në Moldavi, por ekziston frika dhe dyshimi se edhe trajneri italian, mund të largohet para kohe si patriotët e tij, Sormani e Iuliano.
Sfidanti.al