Nëse deri tani nuk kishin bindur, këtë herë shkaktuan një tronditje të thellë. Ata që mbajnë veshur fanelën më të famshme të futbollit në botë, atë të Realit të Madridit, pësuan një katastrofë përballë rivalit më të hidhur, Atletikos po të Madridit, me shifrat 3-7 në stadiumin “Metlajf” të Nju Xhersit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Krejt tjetër gjë pritej, por ja që kështu i ndodhi të mbiquajturve “mbretër të Europës”.
Skuadra e trajnerit Zinedin Zidan nuk e nisi mirë ndeshjen, duke e pësuar keq në pjesën e parë, por nuk arriti të përmirësohej sa duhet. Pa ritëm, pa dëshirë, pa ide të qarta, dhe me një futboll aspak të pëlqyeshëm. Duket se brezi fitues i mëparshëm nuk do të jetë e lehtë që të zëvendësohet, me Ronaldon të larguar, Modriçin e Krosin jo si dikur, dhe po ashtu Marselon apo edhe kapitenin Sergio Ramos.
Asensio është i dëmtuar, Bejl gati për të ikur, ndërsa lojtarët e rinj të ardhur do të duan kohë të përshtaten. Të tillë, Rodrigo, Kubo, Joviç madje edhe vetë Eden Hazari.
Lavdërimet për projektin e Simeones nuk kanë të mbaruar, pasi Zhoao Feliks shkëlqeu, dhe Diego Kosta u duk sërish si në ditët e tij më të mira. Mesfusha e Atletikos ishte e shpejtë si shigjeta, dhe bëri presion të fortë ndaj kundërshtarit, ndërsa mbrojtja u duk e fortë, siç e ka për traditë.
Diego Kosta shënoi 4 herë, ndërsa nga një gol ishte për Zhoao Feliksin, Angel Korreandhe Vitolon. Për Madridin, autorë të rrjetave ishin Naço, Benzema me penallti dhe Karrera. Nervat ishin të forta, dhe në pjesën e dytë u përjashtuan me karton të kuq Dani Karvahal për Realin dhe Diego Kosta për Atletikon.
“Një “banjo” për historinë, – titullon “Marka”, – bardhekuqtë shkelin me këmbë të besuarit e Zidanit në derbin e parë, në Shtetet e Bashkuara”. “Turpërim me një mesazh, – vazhdon e përditshmja e Madridit, – Reali nuk është për të luftuar për asnjë titull këtë sezon”. Gazeta “AS” ishte po ashtu e pamëshirshme: Një ekip i madh dhe një rrënojë, sukses historik i Atletikos, ekzibicion i Zhoao Feliksit”.
Tifozët e Realit mbetën shumë të tronditur nga kjo disfatë e rëndë, pavarësisht se në një miqësore vere. Ata nuk janë të sigurt nëse Zidan do të jetë në gjendje të krijojë sërish një ekip të madh si ai që fitoi Championsin tri herë radhazi.
Sfidanti.al