Edhe ne kemi Messi-n tonë…

“Zgjedhja në postin e zv-presidentit të UEFA-s është vlerësim për futbollin shqiptar, është vlerësim për të gjithë njerëzit e komunitetit të Futbollit shqiptar”.

Kjo është fjalia që ka thënë më shpesh gjatë daljeve të fundit publike presidenti i FSHF-së, Armand Duka që në të tilla dalje publike preferon të veçojë gjithmonë arritjet edhe pse nuk e qartëson shumë argumentin se cilat mund të jenë këto arritje saktësisht. Fushat që FSHF ka nisur të shtrojë me bar artificial sa në Laç apo Vorë e ndonjë fshat të Myzeqesë? Faktin që në Kombëtare sot Sylvinho nuk preferon të kthejë as vështrimin?

Po, është e vërtetë që Sylvinho është një bast i fituar i Armand Dukës po aq sa është një bast i numbur Christian Panucci për të cilin nuk mori asnjëherë përgjegjësinë për t’u kërkuar minimalisht falje tifozëve, jo “kritikëve dashakeqë” siç ai i cilëson shpesh herë edhe ato zëra të vakët që “guxojnë” ta kritikojnë, “të verbuar tërësisht”.

Sa mirë që  psh. presidenti i federatës andorriane vlerëson punën kolosale që po bëhet në Shqipëri ku mesatarja e tifozëve në stadiume është ndoshta sa në stadiumet më modeste të kontinentit, nga La Velletta në Ishujt Faroe. “Kryesorja është, dihet që futbolli është një lojë kolektive dhe jo individuale, sidomos në vende si ne që nuk është se kemi Messin. Kur ke Messin, OK, janë raste të veçanta që mund të thuash se një individ ta zgjidhë ndeshjen”, deklaroi gjithashtu Duka për Klan Kosova, ndoshta si pa dashur të na kujtojë se diku tjetër ka një mbret që fiton në çdo garë ku merr pjesë dhe ndoishta është e vetmja fjali ku ai gabohet rëndë sepse edhe ne e kemi Messin tonë, ai është sulmuesi kryesor që na drejton nga kulla më e rëndësishme e futbollit shqiptar dhe kjo është forca më e madhe e futbollit shqiptar…

Nga Pirro Bardhyli