Kur vjen dita e zgjedhjeve të gjithë thërrasin se ka ardhur koha për ndryshim, edhe pse kanë marrë leksione nga jeta se ndryshimi mund të jetë dhe në krahun e padëshiruar. Këto ditë, tamam në prag të zgjedhjeve, disa nga futbollistët e Kombëtares kanë flakur maskën e apolitizmit , duke i dhënë një kumbim tjetër sloganit politik : “ Ka ardhur koha për ndryshim !”
Disa nga futbollistët e Kombëtares, Mavraj, Basha, Xhaka e Kaçe paskan flakur maskën e apolitizmit, e cila zakonisht është uniformë etike e një ekipi kombëtar , duke kërkuar ndryshimin në kursin e politikës. Nuk është hera e parë e as e fundit që çunat kuqezi shndërrohen në “fanarë” për të ndriçuar lojën e papastër të votës . Një lojë që për nga pisllëqet e lë pas futbollin, sepse është mëma e gjithë të këqijave. Po, nëse do të flasim me gjuhën e ndryshimit edhe në futboll, lindin pyetja që mund të djegë edhe më shumë se specat djegës:
Pse po mbushen 20 vite që futbolli i Kombëtares është shndërruar në një gënjeshtër me xixa, një përrallë kullufit milione euro, një maskim që kërkon të kamuflojë një diktaturë të thellë presidenciale si ajo e Dukës, dhe askush nga futbollistët e Kombëtares nuk voton për ndryshimin…?!
Intriga është kaq kontradiktore dhe ironike njëherësh : duan ndryshim në politikë, por nuk duan kurrsesi ndryshim në fronin e futbollit! Të atij sporti që jeton në kohën e demokracisë por që rrotullohet topi nën diktat , të atij topi që mbyllet në kafaz. Aq sa kur del dikush dhe kërkon ndryshim të thellë nga koka tek këmbët , siç ishte rasti i Igli Tares, kur ishin zgjedhjet e fundit të futbollit, bien kambanat e alarmit , vishet uniforma e luftes ndaj një ..goje që është hapur dhe po damkos sistemin..!
Sa për mbyllje : Kombëtarja kërkon ndryshim nga kursi i lojës në politikë, kurse për vete as nuk ka kurs loje, luhatet mrekullisht si një politikane e pabesë, që edhe nga humbjet fiton, pale ç’ndodh me fitoret …
Sfidanti.al