E tradhëtuan në fushë si  për herë të fundit me Turqinë dhe e “respektuan” kur e shkarkuan si trajner! Sikur të luanim në fushë, siç kombinojmë me hipokrizinë. Futbollistët e Kombëtares, mjeshtrat e fjalës së pavërtetë gjatë fushatës para ndeshjeve, më së fundi kanë qepur gojën, sapo trajneri i tyre vuri këmbën në avionin e lamtumirës, pa patur fatin e Strakoshës.. që t’i ikte.  Kanë marrë urdhër nga pronarët, pasi skenari për largimin e Panuçit kishte si kulm vetëm ditën e ndeshjes dhe jo një ditë më pas. Ky paska qënë skenari më i realizuar në kurdisjen e largimit të një trajneri të Kombëtares, duke e krahasuar edhe me tradhëtinë e klasit të lartë që i bëmë profesor Oto Bariç në Rumani. Në Shkodër, kanë ndodhur të gjitha: një grup  tifozësh ka blasfemuar në kor ndaj trajnerit Panuçi, madje në emër të zhgënjimit dikush ka qëllur me shishe portierin Berisha, kurse aktorët kryesorë, futbollistët, inskenuan me mjeshtri aktori versionin e lojës së vdekur, me një stil  që do të përcillte edhe të madhin  Pep Guardiola..
Por këto nuk mjaftojnë , pasi tradhëtitë dhe hipokrizitë lindin lart dhe zbatohen poshtë në skenën e aktrimit. Ditën që do të luanim me Turqinë, atë ditë kur trumbetohej me zell  se do të fillonim sezonin me një stil të ri, në prapaskenë kishin punuar me stilin e vjetër! Aq i sigurt dështimi me Turqinë, sa këtë dramë  krize do t’ia dhuronim të freskët kandidatit për stolin e  Kombëtares, ish-trajneri të Lacios, Edi Reja. Një trajner që çuditërisht , para se të takonte presidentin,  “puthi” dorën e politikës,  pa e ditur se do të përballet me  çudirat dhe pabesitë që ndodhin hershëm në shtëpinë  kuqezi. Si një  familje “Adams” në futbollin e sotëm, ku ka vite që lodhen duke shkarkuar fajin vetëm tek anëtarët e familjes, duke  e lënë kryefamiljarin të argëtohet  me tespihen që në këtë rast  quhet..futboll 
G.Sinemati
Botuar ne Panorama Sport

 
    