Në Romën e Lashtë ekzistonte dënimi i tmerrshëm i dhjetimit, pra i nxjerrjes nga rreshti i njërit prej çdo 10 vetëve për t’i ekzekutuar, për një faj që nuk quhej individual. Komisionet që bëjnë drejtësinë në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) bëjnë po ashtu nxjerrje nga rreshti për faje jo individuale, veçse jo me drejtësinë e ashpër romake, por me shtrembërim njëlloj si të hartës elektorale, që përthyhet sipas interesave.
Nga rreshti nxirret ai që cilësohet më i dobëti, me më pak aleatë dhe pushtet. Pak rëndësi kanë emrat se gjithë Shqipëria mund t’i thotë me zë të lartë edhe po ta ngresh nga gjumi në orën 3 të natës. Për komisionet për drejtësi në FSHF nuk janë “busull orientuese” nenet, numrat dhe germat e Kodit (fryma e kodit jo e jo), por fryma që i fryn në vesh përpara se të marrë vendimet.
Atëherë hyjmë në një qerthull nga i cili nuk dalim dot prej efektit bumerang. Është njëlloj sikur drejtësia e shtetit të mos bëjë drejtësi për vrasjet, për krimet, dhe nga kjo kalohet në vetëgjyqësi. Edhe padrejtësia në sport nuk ndalon dhunën, por e shton atë!
Sfidanti.al