Drama e Skënderbeut :Është fantazma e Dinamos apo fundi i një skeme piramidale!

Thonë se është mallkimi i Dinamos , thonë se është fundi i një skeme piramidale futbolli, në të cilën nuk mbyllet dot saraçineska e humbjeve, por ajo që po ndodh me Skënderbeun nuk është vetëm drama e një klubi. Është drama e një kampionati që mbahet gjallë duke vdekur klubet sipas një cikli që shkakton frikë nga vazhdimësia. Kështu, kjo që po ndodh me Skënderbeun, duket si një film i parë kohë më parë, ku viktima çdo javë vdes nga pak, derisa në fund të fundoset ..bashkë me lavdinë e dikurshme. Kur fallxhorët kishin paralajmëruar hokubetin e madh se kampionët do të shndërroheshin në një makinë humbjeje, edhe pse e dinim se jetonim në tokën e mundësive të mëdha për të tradhëtuar, askush nuk besoi se Skënderbeu do të merrte përsipër udhëtimin më humbës. Atë që me gjuhën e shifrave mund të pagëzohet si “udhëtimi drejt vdekjes” . Nga ato vdekje që e kërkon vetë pacienti, sidomos kur degjon kambanën që vjen nga shifrat : në 9 ndeshje, plot 8 humbje!
E fundit me Tiranën! Mu në mes të Korçës, në një realitet të hidhur , ku vendin e lavdisë së dikurshme e ka zënë trishtimi, madje më shumë se kaq, tërbimi, pasi tifozët korçarë kanë shkulur stolat si protestë ndaj ekipit që po thyen edhe rekordin e zhgënjimit. Nuk ka trajner në botë, edhe më oratori midis atyre që dinë të justifikojnë humbjet e stisura seriale, të dalë e të thotë se këto që po ndodhin janë prapësi teknike dhe jo morale ! Pale kur dëgjon atë shpjegimin helmues se fajin e kanë futbollistët e rinj që janë hedhur në fushë gjatë kësaj fushate ku trazohen keqazi misionet e brezave. Akoma më keq, kur dëgjon trajnerin Shehi, njeriu që po tjerr fjalë nga javë në javë me shpresën që humbjet të kapërdihen si ilaçe për të mbajtur frymën gjallë..deri sa të vijë dita e hokubetit.
Sfidanti.al