Dinamo pas 9 vitesh në Superiore, por tashmë një jabanxhi në Tiranë

Iu deshën nëntë vite pritje dhe tashmë Dinamo është pranë bashkimit me elitën e futbollit të vendit. Dhe ishte pothuajse një dekadë raskapitëse për të mbijetuar, qoftë edhe për faktin, se prej kohësh ka marrë jetë një politikë e risistemit të dhunshëm të historisë, ku vlerat nuk kansiderohen më, për shkak se ta vështirësojnë pushtetin e pakufishëm. Kështu që pas Partizanit, Tiranës, Vllaznisë, Besës, Elbasanit, Apolonisë që vazhdon të jetë kalimtare në Superiore është Dinamo që rikthehet, duke lënë pas, në prag të zhdukjes, Flamurtarin dhe Luftëtarin. Dhe gjatë kësaj periudhe, librit të historisë së futbollit shqiptar i kanë shtuar disa kapituj të shkruar keq, të mbushura me protagonist të rinj, të cilët po tentojnë t’i kthejnë në legjenda.

Ndërsa Dinamon e zhvlerësuan, e fyen, e rreckosën dhe e përzunë si të deklasuar nga shtëpia që ishte ndërtuar enkas për të. Ndikuan me dëshirë për ta kthyer në një skuadër rurale që edhe aktualisht po jeton ende si e internuar, ndonjëherë në Pezë dhe ndonjëherë tjetër në Arbanë, ku ta zërë nata. Gjithë këto vite heshtje injoruese, sikur t’i kishte bezdisur me ekzistencën e saj, me 33 trofetë që ka fituar dhe që i ka dhënë shqiptarëve një futboll aq të ëmbël, saqë stononte me ditët e tyre të vështira.

Në moshën 62 vjeçare e përzunë për ta grabitur, ndërsa tani në ditëlindjen e 71-të u kthye sërish, por përpara se të fillojmë të besojmë se edhe mund të na entuziazmoi përsëri si dikur, na duhet njëherë ta shohim duke ndërtuar një strehë të re për të futur kokën dhe të gjejë një stadium për të qenë, ku të jetë resident. Pra e rëndësishmja për momentin është mbërritja e Dinamos, një klubi që ia doli ta ruajë historinë, por që tashmë në Tiranë është thjesht një jabanxhi plot me halle…