Duhej dhënë një provë, dhe kjo gjë nuk mungoi. Denver Nagets arriti një triumf me peshë dhe me shumë domethënie ndërsa afron faza e plej ofit në basketbollin amerikan, pasi doli fitues nga fusha e Los Anxhelos Klipersave. E udhëhequr nga një Nikola Jokiç në formë shumë të mirë, ekipi nga Kolorado mori fitoren me shifrat 110-104, edhe pse luajti në Arenën e njërit prej pretendentëve për titull në NBA, që kanë në përbërje yjet Kauai Leonard e Pol Xhorxh.
Jokiç shënoi 30 pikë, kapi 14 topa në tabela, por nuk e arriti dot një tripëll dabëll sepse u ndal në 7 asistë. Ai ishte jo keq në gjuajtjet nga loja, edhe pse gaboi disa herë për tri pikë, ndërsa i realizoi të 10 gjuajtjet e lira. Majkëll Porter ishte lojtari që e ndihmoi më shumë, me 25 pikë, 7 topa në tabela e 5 asistë, ndërsa Aron Gordon ishte zhgënjim këtë herë me vetëm 7 pikë.
Për Klipersat, Leonard nuk arriti dot nivelin e pritshëm pasi shënoi vetëm 16 pikë, i mbuluar fort nga mbrojtja mike. Pol Xhorxh bëri diçka më shumë me 20 pikë e 7 topa në tabela, por ishte e pamundur të përballoheshin Jokiç dhe shokët e tij. Me këtë sukses, Denveri u ngjit në vendin e tretë në Konferencën Perëndimore duke lënë pas pikërisht Klipersat, ndërsa Dallasi, Lejkërsat apo Portlendi janë shumë më prapa. Ekipi nga Kolorado është padyshim pretendent për titull, madje ka shanse sado të pakta që të mbërrijë dy kryesuesit e Perëndimit, Juta Xhazin e Feniksin.
Sfidanti.al