Dinamo iku, Dinamo erdhi! E treta e vërteta për presidentin…

Sa e madhe do të jetë Dinamo e sezonit të ardhshëm? E vendos fusha sa i madh është një ekip, apo e vendos presidenti i ekipit ? Një president pa përvojë si Bardhi i Dinamos, që është debutues kur ndizet loja plot kurthe, që beson se e ka marrë leksionin e jetës në punët e topit. Fraza e tij është mbresëlënëse, tamam si një vit më parë: “ Do të jemi sërish në Superiore dhe uroj që të jetë e treta e vërteta. Kemi marrë mësimet e duhura këto dy sezone..”

Një gjë është e sigurt: kjo Dinamo që mban emrin e Dinamos së lavdishme, flet më shumë se sa luan në fushë! Një vit më parë u krekosën me anë të trajnerit Shkëmbi se kishin ardhur të fitonin kampionatin dhe jo të shpëtonin lëkurën. Në fund ..fituan dështimin, u paqëtuan një kategori më poshtë! Edhe atëherë Dinamo tërhoqi si me “magnet” brezin e Demollarit me shokë për të bërë “gola nga tribuna”, për të dëshmuar se brezat kanë lidhje gjaku, por ndodhi që një brez i kishte marrë hua vetëm emrin tjetrit…

Sfidanti.al