Cila magji zhduku biletat me Çekinë? Edhe Duka…pa biletë!

E inaguruam si stadiumin më të bukur në Ballkan ,“Air Albanian” , por nuk e dinim se sa i vogël do të ishte. Si mund të zhduket një stadium i tërë,  sikur nuk është fare, kur flitet per biletat ? Kishim dëgjuar që iluzionisti i famshëm botëror, Koperfilidi, pati zhdukur vagonin e trenit , një tjetër Nadiri , me gjak si yni, u ndalua të “kullufiste” Kalanë e Gjirokastrës  nga frika se mos nuk e kthente dot prapë!

Por, ky numri i fundit i shpejtësisë, avullimi i biletave brenda natës për ndeshjen me Çekinë , i ka lënë të gjithë me gojë hapur. Aq sa tregohet si anektodë se dikush i paska  kërkuar biletë presidentit Duka dhe mjerë veshët çfarë dëgjuan: “ Edhe unë nuk po gjej dot bileta për këtë ndeshje.!Kam gjetur bileta vetëm për ndeshjen miqësore me Bullgarinë..!”

Nuk ka paradoks më qesharak  në botën e futbollit se sa ai që po përjetojmë me meritë.   Në ndeshjet e kampionatit, janë zhdukur tifozët  dhe kampionati luhet pa bileta fare,  si me “silenciator” ku nuk dihet dita e ndeshjes dhe stadiumi, kurse në ndeshjet e Kombëtares “rilindin” njerëzit , por nuk ka bileta, pra nuk “kemi stadium”. Pale kur thonë që kemi 300 mijë kërkesa? Na marrshin të ligat Partitë politikë kur ziheshin se kush ta çonte me lart stekën e rrenës, me  100 mijë apo 150 mijë njerëz që ishin në sheshe…

Sfidanti.al