Ç’bela e polli futbollin, jashtë na ndjek Federbeti, brenda..arbitrat e “mbretit”!

Dikur dëgjonim shpesh frazën popullore  “kërcen prifti nga belaja”, kurse sot mund të thuhet se prifti po pushon, sepse është futbolli që po kërcen nga belaja.  Kur luajmë jashtë na përgjon Federbeti, ndersa kur luajmë në Superligë na përndjekin arbitrat e “mbretit”. Na thonë se ky Federbeti qënka edhe më i keq se arbitrat, sepse ka vënë bast se do të na i nxjerrë prej hundësh 1, X dhe 2- shat që fshihen brenda topit të lojës sonë. Bile, kjo kompani, qënka më e zezë se arbitrat, sa u shfaqet edhe në gjumë shefave tanë që nuk kanë faj kur pyesin me naivitet të shejtanosur, me  frikë më shumë se habi:  po këta të Federbetit, mos e dinë vallë se vetëm shqiptarët e tredhin lojën e ndershme!

Nuk dihet se deri ku shkon e vërteta, aq sa futbolli-produkt  ka fituar vendin e parë në meny, kur populli i stadiumit shpesh e ha sapunin për djath, pa e kuptuar se arti i trukimit , për hir të nivelit, po na binjakëzohet me lojën e vërtetë. Ndaj shpesh habitemi, mbetemi pa fjalë me këtë Federbetin e pashpirt, që dyshon edhe kur ne kënaqemi me futboll-bio, kur hapim shampanjën e fitores apo humbjes dinjitoze, kur  na duken stadiumet plot , sapo marrim borxh syzet me një xham të FSHF-së.

U tundën koificinetët e basteve- thanë pas ndeshjes së 20 vjeçarëve tanë në Gjeorgji, ku humbja me 3 gola paska qënë si akullore, pasi ke mësuar se ekipet kanë fjetur në një hotel, pa shkelur “unazën” e futbollit, që të bashkoheshin edhe nëpër dhoma. Edhe kjo nuk thuhet me siguri, pasi i fundit do të flasë Federbeti, ata që paskan thënë me humor te zi se shqiptarët e çan rrugën e historisë së futbollit me dron , por nuk e dinë se dronin e kanë sipër kokës sa herë që dalin në fushë. Europa na ka qepur nga pas “007”-tën e saj,Federbetin,  kur flitet për të ruajtur paratë e kompanive, ndërsa kur flitet për futbollin që ka qënë pronë e jona, që po bëhet lesheli çdo javë, ku arbitrat vallëzojnë në fushë me thikë midis dhëmbëve, si në mesjavë, UEFA nuk e ka zakon të fusë ..duart dhe hundët!

Sfidanti.al