Bylisi dhe Partizani pyeten në altar: e doni njëri- tjetrin? Puthuni…

Nuk e besuam syve, kujtuam se na kishin zënë perde, por ishte më shumë se e vërtetë ajo që pamë! Mund të thuhet se Bylisi dhe Partizani u kapën me presh në duar, por kush habitet është budalla. Bylisi u dorezua në fushën e tij dhe trajneri Shensoji, ai që një ndeshje më parë e bëri lanet arbitrin, në fund të ndeshjes, u kap nga kamerat tek puthej me futbollistët kundërshtarë. Më mirë kështu, apo si zakoni i vjetër i Superligës, që ekipet bëjnë teatër në fushë për 90 minuta dhe në fund bëjnë sikur zihen gjoja nuk u pëlqen rezultati…

Skena u bë më “prekëse” kur edhe futbollistët që punojnë me “naftë” , i fiksuan tek takonin “krushqit”, madje gati po uronin kundërshtarin për 3 pikët e fituara. Dhe çfarë pikësh llokum.. pa pikë shkelmi dhe polemike..

Nuk kishim parë një Bylis kaq të urtë në fushën e tij , luanin si dele te buta, sa edhe tifozët e pranishëm nuk besonin se ishte ekipi i tyre. Ndaj hodhën stola dhe një dyzinë me shishe, për t’i kujtuar se në Ballsh , nuk mund të quhet futboll-bio kur ka puthje pas ndeshjes. Një zot e di se ç’kanë menduar, kur je edhe i humbur edhe i dashur me atë që të rrahu!

Sfidanti.al