Veshët tanë janë tepër të virgjër apo të pamësuar për të dëgjuar fraza te padëgjuara si këto : “ Dorëzohet Armand Duka” ose “Gjykata e Tiranës ka pezulluar presidentin e FSHF-së nga ushtrimi i detyrës së presidentit”. Më në fund, të pamundurit “ e përjetshëm” kanë ngritur dy duart lart, por jo këmbët, dhe të mërkurën (pra nesër), armata votuese nuk do ta zhysë dot dorën në allçirin jeshil për të bërë qokën e gjashtë për rizgjedhjen e “faraonit” . Thonë se do të lejohet të bëhet veçse një Asamble e zakonshme, por në kohë të jashtëzakonshme, është tejet e vështirë të mendosh se do të ndodhin gjëra të zakonshme…
Armand Duka është dorëzuar! Mos i besoni tam-tameve. Prisni, prisni, se akoma nuk keni parë gjë.Loja sapo ka filluar. Ato skemat e trajnerëve për dredhitë dhe prapaskenat në fushë, duken si lodra kalamajsh para skemave dhe komploteve që thurrin lojtarët me kollare, sidomos kur u rrezikohet “prapanica” dhe “prona”! Tani do të futet në lojë UEFA dhe nuk do të ketë më atë fytyrën konfidenciale, me të cilën vuri këmbën në kryeministri, por atë tjetrën, që ne shqiptarët e njohim më mirë se kushdo. Kanë filluar sulmin ndërkombëtarët dhe fraza e tyre na kujton shpatën e Demokleut : Do të dënoheni nëse prekni presidentin Duka!
Dhe UEFA ka dhënë prova të gjalla, se halli i saj me Shqipërinë nuk është vetë futbolli, por presidenti Duka. Dhe bëma ka qënë flagrante: kur na dënuan 10 vite,dhe na qitën namin në Europë dhe në botë sikur Shqipëria ishte shitsja më e madhe e futbollit të skaduar, morrën për vete vetëm një shqiptar, sa për hudhër, më fajtorin e gjëmës, dhe e futën në zemër të UEFA-s, në atë që quhet Komitet Ekzekutiv. Duket si tempull, por atje ndodh mrekullia: topi nuk kapërdihet me kafshata, por me llokma…
Sfidanti.al