Dukej si një skenar filmi, nga ata që të kujtojnë një film tjetër , dhe pse personazhet janë kryekëput të tjerë. Atë ditë, kur kapitenët e ekipeve të Superligës dhe disa nga arbitrat më të njohur janë takuar me njëri- tjetrin, mu në zemër të fushës së “Selman Stërmasit”, me karrige të vendosura në formën e topit të futbollit, të dyja palët nuk e kanë fshehur dot habinë. Vite më parë, shefat e tyre, kur projektuan prishjen e “Qemal Stafës” u shfaqën në mesin e fushës së tempullit të futbollit dhe fjalët e tyre ishin si një thikë pas shpine për stadiumin e lavdisë historike. Këtë herë, arbitrat dhe kapitenët, nuk do të “vrisnin” stadiumin, që është bërë mollë sherri për Tiranën me Partizanin, por duhet të zbulonin autorin për një ..vrasje tjetër, atë të lojës në kampionat. Thonë, se kur njerëzit e futbollit ulen në formë topi dhe braktisin sallat e mbledhjeve, edhe doza e sinqeritetit është më e konsiderueshme. Por, futbolli ynë nuk është mësuar të jetë i hapur, pa sekrete, pa kulisa në kurriz të tjetrit, ndaj edhe ky takim në formë topi rezultoi një spektakël sipërfaqësor, një lojë fjalësh, edhe pse të dyja palët e dinë fort mirë se deri ku shkon mëkati i palës tjëtër.
Një koleg , për ta bërë tavolinën e rrumbullakët më të ndezur, më të vërtetë , ku gënjeshtra ta humbte derbin me të vërtetën, kishte pyetur me të drejtë: po presidentët e klubeve, pse nuk ishin përballë arbitrave? Zyrtarët kanë frikë nga disa president, ngaqë nuk mbajnë sekrtete, aq më shumë se ata kanë një dell që nuk komandohet lehtë, sidomos, kur flitet për arbitrat. Aty ku ata edhe pse inevstojnë në ilegalitet, një herë janë fitues, herën tjetër janë zgjedhur për t’u tradhëtuar. Është ligj i futbollit që krenohet me këtë ves, pa të cilin nuk do të ishim katandisur në këtë sistem vicioz gabimesh njerëzore dhe ..antinjerëzore. Kapitenët dhe arbitrat prekën shumë tema të lehta dhe të tjera, disi më të rrezikshme, me një limit të caktuar. Ishte e ndaluar për të folur se cila palë e ndihmon më shumë trukimin e të vërtetës të lojës, aktorët e fushës që dredhojnë nga morali i besimit, apo “shenjtorët pa besë” që bilbilin, si me magji, e shndërrojnë edhe në shpatë. Ata që kur mësuesi anglez i seminarit i pyeti : përse e keni të vështirë të pikasni një ndeshje të trukuar? Si në kor u përgjigjën: zoti angez, këtë leksion, e lexojmë shpesh, por nuk arrijmë ta kuptojmë..”
Gëzim Sinemati