Anglezët na trembin me Uemblin, Kombëtarja na tremb me ..humorin!

Anglezët në prag të ndeshjes me Shqipërinë janë shumë seriozë, aq sa numërojnë mungesat e titullarëve, sidomos në mesfushë! Po kombëtarja jonë si po i kalon orët ? Në një video të freskët të FSHF-së, futbollistët tanë shfaqen duke bërë humor, sidomos kur Doka pastron këpucët e Cikalleshit, si për t’i bërë gati për ..punë golash!

Si ka mundësi ky ndërrim zakonesh ? Nuk qeshin anglezët që e kanë shpikur humorin, por qeshin “zyrtarisht” kundërshtarët e tyre liliputë , si për inat të medias angleze që e tejkalon cinizmin kur shkruan se shqiptarët goditjen e parë do ta marrin nga vetë ..Uembli!

Pale sikur ta dinin anglezët dhe media e tyre se deri ku ka shkuar guximi dhe fantazia e llogarive tona për këtë ndeshje, që ata nuk e dinë se ç’ do të heqin ! Pritet një mrekulli “alla shqiptare” : të na e shkrepi ( një herë të vetme) të mundim Anglinë, (ishalla na luan e paqefshme si Hungaria) dhe pastaj një shuplakë të fundit Andorrës. Prit, prit se as kaq nuk mjafton. Edhe Polonia të bëjë “detyrën” e saj: mos të fitojë me Andorrën dhe me Hungarinë në fushën e saj, që të dalim të ..dytët me meritë!

Sfidanti.al