Trabzoni nderon ‘Faraonin’, i vendos një rruge emrin e Mohamed Salah

Mohamed Salah po merr një nderim të veçantë në Turqi, ku popullariteti i yllit egjiptian ka kaluar përtej kufijve të futbollit. Komuna e Yomras, në qytetin e Trabzonit, ka vendosur që një rrugë të marrë emrin e sulmuesit, në shenjë mirënjohjeje për ndikimin e tij te tifozët dhe banorët e zonës. Sipas mediave turke, procedurat për emërtimin e rrugës kanë përfunduar, ndërsa është marrë edhe miratimi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë. Tashmë pritet vendosja e tabelave dhe organizimi i ceremonisë zyrtare të inaugurimit.

Kryetari i komunës së Yomras, Mustafa Beyik, bëri të ditur se propozimi u miratua unanimisht nga këshilli komunal. Më pas nisën procedurat përkatëse ligjore, të nevojshme për emërtimin e rrugës me emrin e një personaliteti të huaj. Sipas Beyikut, miratimi nga autoritetet përkatëse erdhi brenda vetëm një jave, ndërsa komuna po përgatitet për ceremoninë që pritet të zhvillohet brenda 20 ditësh.