Air Albania trukohet në Foltore, “pronari” i stadiumit në “Duka i Foltores”

Tani u kuptua më qartë pse politika e inaguroi stadiumin Air Albania duke e pagëzuar si ..më të bukurin në Ballkan! Vetë Partia në pushtet, PS-ja bëri Kongresin e saj , kurse PD-ja, vetëm një ditë më parë “luajti ndeshjen më të madhe” Kuvendin e Rithemelimit të PD-së. Ata që thonin se futbolli u bë me shtëpi, kur inaguruam stadiumin me kullë, duhet të kontrollojnë letrat e pronësisë për të mësuar nëse me të vërtetë është i futbollit apo i politikës.

Për t’i dhënë një shkelm dyshimeve, le të kujtojmë se “Air Albania” në ditët më të sikletshme të Covidit u shndërrua edhe në “spital vaksinimi” . Doni më për “Belulin e futbollit”? Edhe koncerti i këngëtarit të njohur Ermal Meta u bekua në fushën e këtij stadiumi, tamam në ditët që bari i fushës po lëngonte nga një sëmundje e pashërueshme: dielli i ka kthyer “kurrizin” përgjithmonë kësaj fushe!

Po Ermal Meta e bëri si burrat, pati mirësinë të falenderonte presidentin Duka për nderin dhe mundësinë speciale që i dha këngëtarit. Kurse politikani më i vjetër, ai që tentoi rilindjen e tij nëpërmjet stadiumit, nuk na e falenderoi presidentin e futbollit, por e dërgoi falenderimin tek tifozët kuqezinj, sepse ata qënkan zotërit apo “pronarët e vërtetë” të stadiumit”. Të atij stadiumi, që kur luan Kombëtarja ndeshje “ të mëdha” , më i madh bëhet çmimi i biletës se sa vetë pesha e tifozerisë kuqezi. ..

Edhe në ditën e tij më të vështirë, lojtari më veteran i politikës, zoti Berisha, e shmangu me një driblim “alla politik” presidentin e futbollit, sepse, po ta bënte, do të ngacmonte shumë histori të vjetra. Atëherë, vite më parë, kur e shpallte si “Zemuni” apo si “Duka i krimit”. Sikur të kishtë një gazetar, që ta pyeste zotin Berisha, po tani, ç‘nofkë do t’i vinit preidentit të futbollit, nuk do të ishte çudi që veshët të na dëgjonin një ..rithemelim të nofkës : “ Duka i Foltores”!

Sfidanti.al