Në të vërtetë, notën më të lartë e mori një tjetër, portieri David De Gea, dhe kjo tregon shumë. Mançester Junajtidi mori një fitore me fat në fushën e Noruiçit, dhe ishin pritjet e spanjollit që nuk lejuan vendasit për të hedhur në tapet “djajtë e kuq”. E pohoi këtë edhe trajneri Ralf Rangnik, që deklaroi se “De Gea na fitoi ndeshjen”. Po ashtu, gjermani theksoi se “ne nuk patëm ritmin e duhur, nuk më pëlqeu gjuha e trupit e lojtarëve të mi”. Analistët nëpër mediat kritikuan se futbollistët e Junajtidit kanë krijuar “vese të këqija”, për të mos pasur vazhdimësi, ndaj edhe skuadra e ka të pamundur të konkurrojë me Mançester Sitin, Liverpulin dhe Çelsin për titullin kampion. Sipas opinionistëve, Rangnikut do t’i duhen muaj për të arritur atë që dëshiron në “Old Traford”. Gjithsesi, pati sërish një rreze shprese, dhe kjo ishte ajo e Kristiano Ronaldos. Superylli portugez mori notën 7.5, shumë pranë notës 8 të De Geas, duke qenë të dy lojtarët më të mirë në fushë. Ishte Ronaldo që fitoi penalltinë në pjesën e dytë dhe që shënoi golin e fitores 1-0.
Sfidanti.al