Formula 1, në orën 14:00 është finalja për titull Verstapen-Hamilton

Larja e hesapeve është në vetëm pak orë, dhe në lojë është gjithçka. Krejt sezoni në Formula 1 përmblidhet në një orë e gjysmë garë në pistën e Abu Dabit, në Çmimin e fundit të Madh të vitit, ku Maks Verstapen dhe Ljuis Hamilton do të zhvillojnë finalen për titull. Holandezi i Red Bullit niset nga vendi i parë, pasi fitoi dje provat zyrtare, ndërsa anglezi i Mercedesit niset i dyti. Mediat kanë nisur ta krahasojnë me rivalitetin mes Airton Senës dhe Alen Prostit në vitet 80-të, si dhe me sfidën mes Mikael Shumaherit dhe Damon Hillit në 1994. A do të ketë përplasje mes dy rivalëve? Në një skenar të tillë, Verstapeni do të dilte kampion, por çdo gabim apo faj i tij do të ndihmonte Hamiltonin për titullin. Hamiltoni do të fitonte titullin e 8-të nëse do t’ia dilte, për të qenë rekordmeni i ri, një më shumë sesa Mikael Shumaheri. Sfida nis në orën 14:00, dhe holandezi ka më shumë fitore (9-8) si dhe më shumë “pole position”-e (10-5).

Sfidanti.al