Nëse doni të arrini lart, përdorni këmbët tuaja! Kjo shprehje filozofike mund të huazohet edhe në futboll, tamam tamam për Dinamon që mu në fillim të këngës “ Jemi nisur për kampion”, u sfilit me 6 gola në Shkodër, një dorëzim spektakolar i bluve që nuk do ta harrojnë kurrë qametin shkodran. Nuk ka dyshim se bukuria e lojës sulmuese të shkodranëve u ndihmua goxha edhe nga mëndjelhetësia e Dinamos për ta ruajtur portën me “dexhurne” dhe jo me mbrojtës të vërtetë, siç bëjnë humor shkodranët..
6 gola janë shumë për një ndeshje futbolli, aq më shumë të pritur me padurim, si një kujtim që na kishte munguar për 9 vite , koha që Dinamon e arratisën nga futbolli i madh. Vite më parë kur luanin Vllaznia dhe Dinamo, askush nuk guxonte të parashikonte golat , sepse nuk dihej fituesi, por një gjë nuk mbahej dot sekret: futbolli mes palëve do të ishte një spektakël i ëmbël, një 90 minutësh që vlerësohej si “joga” për shijuesit e lojës! Ajo që ndodhi të hënën, erdhi si një goditje në gravitetin historik të këtij dueli, erdhi si një leksion i pamëshirshëm për trajnerin Shkëmbi që thoshte se “Dinamo ime është nisur për të shkuar lart”.
Pas 6 shuplakave në Shkodër, do të ishte leksioni më minimal i përftuar, Dinamo nuk duhet të qëndrojë më para pasqyrës gënjeshtare, e cila kur shfaqet brënda saj harron nga ç‘thellësi erdhi, por na kokolisë se ku do të shkojë…
Sfidanti.al