Zinedin Zidani, legjenda e destinuar për t’u bërë i madh edhe në stol!

Ishte 4 janari i vitit të kaluar. Një lajmërim i rëndësishëm u bë te klubi më i madh i futbollit në botë, Real i Madridit. Presidenti Florentino Perez njoftoi gjithë botën se kishte zgjedhur për trajner, Zinedin Zidanin. “Unë kam kënaqësinë të deklaroj se bordi drejtues i Realit ka vendosur të emërojë Zinedin Zidanin si trajnerin e ri të skuadrës, – tha ai, – Zinedin Zidan, ky është stadium yt dhe ky është klubi yt. Është krenari për mua si president që ju të jeni trajneri ynë, pasi për ju fjala “e pamundur” nuk ekziston”.

Pesë ditë më vonë, Zidan nisi të vërtetonte fjalët e presidentit të tij. Ndeshja e parë në stolin madrilen, në “Santiago Bernabeu” përballë Deportivos, përfundoi 5-0 për Realin. Ecuria e shkëlqyer nuk mjaftoi për të fituar ligën spanjolle, pavarësisht suksesit të madh ndaj Barcelonës në “Kamp Nou”, port ë gjithë e kuptuan se diçka e re po lindte. Reali fitoi Championsin në finalen ndaj Atletikos në “San Siro”, edhe pse vetëm pas gjuajtjes së penalltive. Shpejt u fitua edhe Superkupa e Europës dhe në dhjetor, Kupa e Botës për klubet.

Pakkush kishte parashikuar një ngjitje kaq meteorike për francezin, edhe pse Zidan ishte i famshëm që përpara se të ulej në stol. Ai u shpall më i miri lojtar i Europës në 50 vitet e fundit, dhe ishte padyshim ndër më të mëdhenjtë në histori. Shumë shpejt tregoi se dinte të ishte i madh edhe si trajner.

Cilat ishin sekretet e tij? Besohet se aftësia më e madhe është ajo për të komunikuar me lojtarët dhe për t’u sjellë siç duhet me skuadrën. Edhe me respekt, edhe me autoritet. Yjet e shkëlqyeshëm si Ronaldo, Ramos, Modriç, Kros apo Benzema e adhurojnë njeriun që i kupton shumë mirë, siç mund t’i kuptojë një ish-yll i sportit. Ata kanë luajtur edhe për të, diçka që është baza e çdo suksesi në futboll.

Sezonin e kaluar, projekti “Zidan” mori formë të plotë. Reali fitoi titullin kampion në Spanjë, të parin në 5 vjet, dhe arriti sërish finalen e Championsit. Edhe pse ishte favorit, nuk pritej që Madridi të triumfonte 4-1 për të marrë Ligën e 12-të të Kampionëve në histori. Finalja e Superkupës së Europës në Shkup nuk e ndaloi turrin e formacionit spanjoll.

Mançester Junajtid u mund 2-1 dhe Zidan u bë trajneri i katërt më i suksesshëm në historinë e Realit, pas legjendës Migel Munjoz, Luis Molovnit dhe Visente Del Boskes. Po ashtu, trajneri që ka fituar më shumë të pikëve të mundshme, 75 për qind. Ai ka fituar gjashtë trofe në dy vjet, por a është i kënaqur?

“Nuk është një evolucion, por është thjesht çështje e punës sonë, – u shpreh ai, – Ne kemi shumë lojtarë të talentuar që punojnë fort, dhe ne e dimë se mund të fitojmë shumë trofe me lojtarë që kanë uri për të fituar. Sezoni është i gjatë, por ne duam që të jemi gjithnjë e më të mirë dhe të vazhdojmë të fitojmë”.

Sfidanti.al