Tirana mbeti larg që në janar, Vllaznia ishte vetëm një fazë, ndërsa Partizani thjesht një “mirazh”. Elis Bakaj do të veshë fanelën e Kukësit në sezonin e ri. Sulmuesi tiranas peshoi të gjitha alternativat dhe më në fund u bind se kjo e Kukësit ishte më e mira, siç duket në pamundësi për të gjetur një skuadër të përshtatshme jashtë vendit.
“Jam i lumtur që ndodhem këtu, – u shpreh Bakaj në prezantim, – po vij tek skuadra kampione, ku luajnë lojtarë shumë të mirë dhe ndodhet një trajner i suksesshëm. Synoj të ndihmoj ekipin për të fituar titullin”.
Bakaj deklaroi se me Partizanin nuk pati bisedime, ndërsa theksoi se i vinte keq që Tirana zbriti nga kategoria. Me afrimin e Bakajt, Kukësi ka tani një treshe të re sulmi të përbërë nga vetë Bakaj, dhe nga dy të huaj, Otoçan dhe Alijev. Një ndryshim i madh në krahasim me vjet kur luanin Pero Pejiç dhe Izair Emini. Besohet se presidenti Gjici ia ka plotësuar të gjitha dëshirat trajnerit Milinkoviç nga i cili kërkon që të dalë përsëri kampion.
Sfidanti.al