Paska qenë mallkim momenti kur Konor Mekgregor zgjodhi Pol Malinjaxhin si partner sparringu, por ish-boksieri amerikan thotë se gjithë faji për këtë është tek kampioni irlandez i arteve të përziera marciale. Sulmi i radhës i Malinjaxhit ishte lidhur me sjelljen e Mekgregorit, me mendjemadhësinë e tij dhe me servilizmin e njerëzve që i rrinë atij pranë.
“Kam parë shumë njerëz të ulët në jetën time, por Mekgregor është nga më të ultit, – tha ai, – unë nuk jam servil si ata që i rrinë pranë dhe i lëpijnë b…! Ai nuk duron të sfidohet, por një partner sparringu nuk është një thes që mund ta godasësh si të duash”. Malinjaxhi tregon për dy sfidat ndaj Mekgregorit, që po përgatitet të ndeshet me kampionin e madh të boksit, Flojd Mejuedhër. “Në ndeshjen e parë stërvitore, ai ishte më mirë se unë, por kur u ndeshëm për herë të dytë, e pati të vështirë, – u shpreh Malinjaxhi, – goditjet në trup nuk i duronte dot dhe pastaj më shtyu. i thashë të mos postonte foto të turpshme në rrjetet sociale, që nuk tregojnë të vërtetë, por nuk ma vuri veshin”.
Malinjaxhi thotë se i kërkoi Mekgregorit fotot e bëra në sparring, por ai nuk ia dha. Atëherë, ish-boksieri deklaroi se nuk mund ta ndihmonte irlandezin në kurriz të vet, dhe se do të fillonte të fliste kundër tij. Mekgregor dhe Mejuedhër ndeshen në 26 gusht në Las Vegas.
Sfidanti.al