Zhoze Murinjo mbetet personalitet i futbollit, kjo nuk ka dyshim. Pavarësisht antipatisë që krijon jo rrallë me sjelljen e tij shpesh mendjemadhe, sërish trajneri portugez ka aq aftësi dhe klas, sa të bëjë të harrohet gjithçka negative. Një veprim i tillë ishte dhurimi i medaljes së argjendit pas humbjes së finales së Superkupës ndaj Realit. Tekniku i Mançester Junajtid nuk u tregua aspak egoist, por shkoi dhe ia dorëzoi medaljen e tij, një tifozi të vogël në tribunën e stadiumit të Shkupit. Të njëjtën gjë, Zhoze e kishte bërë në 2015 pas fitores në Superkupën e Anglisë me Çelsin. “Medaljet janë më të rëndësishme për tifozët sesa për trajnerët”, – thotë ai.
Ironia e tij u kthye e plotë kur analizoi ndeshjen. “Mund ta pohoj dominimin e Realit, – tha ai, – pasi në pushim të ndeshjes, nëse do të kishte qenë teknologjia, rezultati do të kishte qenë 0-0. Dominimi vjen nga cilësia e Madridit, që ka lojtarë që dinë të luajnë shumë mirë futboll”. Murinjo theksoi se “pati shumë gjëra pozitive në këtë ndeshje”, ndërsa shtoi se “në Premier nuk do të kemi përballë Realin, do kemi ekipe të tjerë shumë të fortë, por të ndryshëm, që nuk kanë mesfushorët e Madridit, lojtarë që janë unikë”.
Sfidanti.al