Zhiru kërcënon rekordin e Henrisë, Grizman gjen veten te Franca!

Një sulmues që në gjuhën e rrugës do ta quanim “gërdallë” (të na falë 100 herë sepse është thjesht figurative), po i afrohet rekordit të golave në kombëtaren më të fortë të botës sot për sot. Flasim për Olivie Zhirunë, rezervën e përjetshme, që hyri në fushë nga stoli dhe vetëm në një pjesë loje shënoi plot 2 gola për Francën ndaj Bullgarisë. Veterani shtatlartë, që gjithashtu është rezervë tek Çelsi, ka tani 46 rrjeta për përfaqësuesen, që do të thotë vetëm 5 më pak sesa rekordmeni i shkëlqyer, Tieri Henri.

Jo vetëm kaq, por ka mesatare më të mirë, me 0.43 gola për ndeshje ndaj 0.41 të ish-yllit të Arsenalit dhe Barcelonës. Karim Benzema, që e tallte Zhirunë duke e quajtur “makinë kart”, ka vetëm 27 gola duke qenë 6 vjet i përjashtuar, por gjithsesi me mesatare më të vogël sesa ai, 0.33 për ndeshje. Të gjithë këta nuk maten dot me një Zhyst Fonten, që ka arritur statistikën e jashtëzakonshme 30 gola në 21 ndeshje (1.43 për ndeshje), apo me Mishel Platininë që ka 41 gola në 72 ndeshje (0.57) si dhe me Zhan-Pjer Papenin (30 gola, 54 ndeshje, 0.56).

Ndaj Bullgarisë shkëlqeu edhe Antuan Grizman duke shënuar një gol me roveshatë që nga hyrja e zonës së rreptësisë, aq sa detyroi mediat spanjolle të shkruanin se Grizmani me Francën është krejt i ndryshëm nga ai me Barcelonën, dhe duket si kandidat për Topin e Artë.

Sfidanti.al