Flamurtari ia dedikon trajnerit të ndjerë Viron Toska, titullin në basketboll për femra!

Gjithçka nisi me një përkujtim. Nuk mund të fillonte ndeshja e basketbollit në Pallatin e Sportit të Vlorës pa nderuar kujtimin e trajnerit Viron Toska. Drejtuesi për shumë vite i Flamurtarit të femrave, u shua disa muaj më parë për shkak të koronavirusit. Me Toskën, ekipi bregdetas fitoi me të vërtetë shumë tituj, kur thonë në Vlorë, “shumë fare”, dhe vajzat nuk e prishën traditën. Pas një ndërprerjeje në 2019 kur kampion doli Tirana, dhe pezullimit në 2020 për shkak të koronavirusin, kthyen titullin në qytet duke mundur Partizanin pas tri ndeshjeve finale në plej of.

Finalja e tretë dhe e fundit u mbyll 68-60, dhe ky ishte titulli i 23-të për Flamurtarin. Vetëm Tirana është në një nivel tjetër, pasi ka fituar 41 kampionate në histori. Në përfundim, presidenti i Federatës së Basketbollit, Avni Ponari, i dorëzoi kupën kapitenes Artemida Myrto. Pas vdekjes së Toskës, ekipi u drejtua nga trajneri i ri, Erion Hoxha, i cili e cilësoi fitoren shumë të rëndësishme. Suksesi i basketbollit të femrave ishte më në fund një lajm i mirë për Vlorën, pak ditë pasi Flamurtari i shquar i futbollit ra në kategorinë e dytë.

Sfidanti.al