Ka ardhur edhe një sulm shumë i ashpër nga Urbi Emanuelson, i cili gjatë një interviste për “Extra Time”, ka akuzuar futbollin Italian, se nuk i jep hapësira futbollistëve sipas meritave. Holandezi që sot luan me Shefildin, por ka veshur gjithashtu edhe fanelat e Atalantës, Veronës, Milanit dhe Romës: “Në Itali futbolli është politikë, jo gjithmonë luajnë më të mirët, kanë rëndësi faktorë të tjerë. Si për shembull, të kesh lidhjet e duhura, në aspektin miqësor dhe atë të të njohurve”. Në veçanti Emanuelson duket i zhgënjyer nga eksperienca në kryeqytetin italian, nga e cila kujton:
“Në javën kur më morën, ata ishin në vendin e gjashtë. Nuk bëhej më fjalë për konkurrencë, por për mbijetesë. E gjeta veten në tribunë, tek shihja skuadrën të luante si “qentë”, por asgjë nuk ndryshonte. Garcia më thoshte të kisha durim. Më pas, në momentin e ndërrimeve, zgjidhte gjithmonë dikë tjetër. Zero shpjegime, akoma më pak këshilla se ku duhet të përmirësohesha”. Gjërat për hollandezin nuk shkuan mirë as tek Atalanta: “Vetëm që të largohesha do të pranoja gjithçka. Tek Atalanta nisa mirë, më pas Kolantuono u shkarkua dhe Reja më tha se nuk kishte nevojë për mua. Ja ku u gjenda sërish jashtë. Edhe në Verona ndodhi një ndryshim teknik, pasojë e një sezoni të mallkuar për të gjithë. Në fund të turneut trajneri më rivendosi në pozicionin tim natyral, organizator ose lojtar krahu, por ishin lëvizje të nxitura nga dëshpërimi, në një skuadër të destinuar të zbriste në B”.
E vetmja eksperiencë italiane të paktën pjesërisht pozitive për Emanuelson ishte ajo te Milani: “Isha djaloshi përballë shumë kampionëve. Pirlo, Ibra, Nesta, Thiago Silva, Sedorf, Van Bomel. Dy të fundit më kanë ndihmuar shumë, kishte konkurrencë të fortë, por të shëndetshme. Kam luajtur më shumë se 100 ndeshje me Milan-in, nuk besoj se isha aq i dobët edhe pse vitet e fundit shumë kanë thënë të kundërtën”. Megjithatë vlerësimi i hollandezit për futbollin italian mbetet shumë i ashpër: “Futbolli është një ambient hipokrit, është e vështirë të kesh miqësi dhe të takosh njerëz te të cilët mund të kesh besim”, përfundon holandezi.