Diferenca prej 11 pikësh nga vendi i parë që mban Çelsi në Premier Ligë, duket, se e përjashtojnë Mançester Junajtidin nga gara për titull, ndërkohë që është interesant fakti se Zhoze Murinjo ka arritur të grumbullojë një numër identik pikësh, si në fushën e vet, ashtu edhe jashtë saj (10:10). Pas dy fitoreve dhe një humbjeje nga rivali i qytetit (ManSiti), ManU-ja ka barazuar katër herë në “Old Traford” në duelet me Stok Sitin, Barnlin, Arsenalin dhe Uest Hemin.
Një paranojë e vërtetë mbizotëron midis “djajve të kuq”, ndërsa ka njerëz që mendojnë se dikush e ka mallkuar ekipin, të paktën, kështu mendon Pol Pogba. “Kemi filluar të besojmë se dikush na ka mallkuar. Kushdo që vjen te ne si ekip vizitor, qoftë Arsenali, qoftë Uest Hemi, arrin të na dominojnë dhe ne nuk mund të bëjmë asgjë. Sikur të jetë fjala për ndonjë mallkim. Por, megjithatë, unë jam i bindur se fati do ta gjejë rrugën që të vijë, herët ose vonë, edhe te ne. Rëndësi ka që ne të punojmë fort që të arrijmë rezultatet e dëshiruar”, i tha, dje, Pogba gazetës “Miror”.