Novak Xhokovic është mbret në Melbërn. Tenisti serb fitoi titullin në Australian Open, që ishte i 7 për të në karrierë duke vendosur edhe një rekord për këtë turne. Numri 1 i renditjes botërore u përball në finale me Rafael Nadal i cili deri në këtë moment u shfaq në një formë të jashtë zakonshme.
Por në këtë ndeshje spanjolli u pa i pafuqishëm përballë Xhokovic dhe këtë e tregon fakti se serbi e fitoi ndeshjen me një lehtësi të madhe, ndryshe nga sa mendohej. Edhe pse kishte mbështetjen e publikut, Nadal nuk mundi në asnjë moment që të bënte më mirë se Xhokovic që e mbylli ndeshjen 3-0 në 2 orë e 4 minuta lojë.
Në setin e parë Xhokovic mori kryesimin në 4-1 për ta fituar më pas 6-3. ndërsa në të dytin serbi arriti të thyejë Nadal dy herë me shërbimin e tij duke e mbyllur këtë fraksion 6-2. Historitë nuk ndryshuan as në setin e tretë, me Xhokovic që ishte shumë superior ndaj nadal që në këtë ndeshje u shfaq si hija e vetvetes duke e mbyllur këtë fraksion 6-3.
Finalja e Australian Open e këtij viti ishte ndeshje e 53 në total mes Xhokovic dhe Nadal me tenistin serb që e rrit diferencën me numrin 2 të botës në 28 fitore dhe 25 humbje. Në të njëjtën kohë kjo ishte finalja e 25 në total mes këtyre 2 tenistëve dhe e 8 në turnetë Grand Slam. Por jo vetëm kaq, Nadal dhe Xhokovic luajtën në finalen e Australian Open për herë të dytë, më parë kjo ndodhi në vitin 2012 kur luajtën finalen më të gjatë Grand Slam në histori.
sfidanti.al