Ku ka si Kupa e Anglisë “lale”, “vriten” Evertoni dhe Uest Hemi!

Njihet mirë vargu i këngës “ku ka si Tirona, lale”, por është më mirë që këtë fundjavë ta transformojmë në “ku ka si Kupa e Anglisë, lale”. Edhe dy skuadra të elitës, Evertoni dhe Uest Hemi të Premier Ligës, u detyruan të kapitullonin përballë rivalëve nga liga më të ulëta.

Evertoni u mund 2-3 në fushën e Miluollit, ekip që mban vendin e 18-të në kategorisë e dytë), ndërsa Uest Hemi u mposht 2-4 në fushën e Uimbëlldonit, që është në fund të renditjes në kategorinë e tretë. Formacioni nga Liverpuli kaloi i pari në avantazh me brazilianin Riçarlison, por Li Gregori barazoi. Sërish, Evertoni ishte në epërsi me turkun Xhenk Tosun, veçse Xhejk Kuper (75’) dhe Marrej Uollas (92’) i dhanë fitoren vendasve.

Uest Hemi pësoi tre gola, njërin pas tjetrit në derbin me Uimbëlldonin në Londër, kur shënuan Apiah e Uagstaf (dy herë). Lukas Perez dhe Felipe Anderson i dhanë shpresë miqve, por Tobi Sibik vulosi shifrat 4-2 në 88’.

Në raundin e kaluar, Bristol Siti i kategorisë së dytë eleminoi Hadërsfildin e Premier Ligës, Barneti i kategorisë së pestë eleminoi Shefild Junajtidin e kategorisë së dytë, Fulhami i Premier Ligës u mund nga Oldham Atletik i kategorisë së katërt, Leisteri i Premier Ligës u eleminua po nga një ekip i kategorisë së katërt, Njuport Kaunti, ndërsa Uolvesi modest (edhe pse në Premier) eleminoi Liverpulin.

Sfidanti.al