Vllaznia me kokën lart në Championsin e femrave, vetëm 0-2 me Juventusin!

Përballë ishin dy botë të ndryshme, kaq të ndryshme saqë nuk mund të kenë thuajse asnjë pikë takimi. Përtej një stadiumi dinjitoz edhe për nivelet e larta italiane, Vllaznia nuk mund të nxirrte asgjë tjetër përballë një superfuqie si Juventusi në Championsin e femrave, edhe pse “Zonja e Vjetër” në versionin vajzë ka më pak vite që është krijuar. Në mbështetje të femrave bardhezi është emri dhe tradita e Juventusit të madh, ditura e grumbulluar për më shumë se një shekull, shkolla italiane e futbollit, fuqia financiare dhe konkurrenca në Serinë A.

Për të gjitha këto arsye, humbja 0-2 në “Loro Boriçi” në prani të një publiku të admirueshëm, mund të quhet një paraqitje tepër dinjitoze. Vllaznia e trajnerit Leka nuk lejoi që në fushë të binte në sy ajo diferencë e frikshme dhe u mund pas dy golave të pësuara në pjesën e parë nga Xhireli dhe Hurtig. Ndeshja e kthimit luhet të enjten e ardhshme në Vinovo, kompleksin sportiv të Juves dhe italianet e kanë thuajse të sigurt kalimin për në fazën e grupeve. Shkodraneve u mbetet kënaqësia që eleminuan Ferencvaroshin favorit, dhe patën mundësinë të ndesheshin me Juven.

Sfidanti.al