Vetëm racizmi? Napoli tregon se çfarë i bën dhuna futbollit!

Dalldia kolektive që krijon ky sport i jashtëzakonshëm ka brenda edhe rrezikun e shpërthimeve të skajshme, që rrezikojnë dinjitetin, por edhe jetën e lojtarëve apo të familjarëve të tyre. Nëse Europa u trondit nga racizmi në Bullgari apo në Itali, ose u ndje keq nga përshëndetja ushtarake e turqve, ka edhe një kërcënim më të madh, dhe kjo është dhuna. Ndoshta, ende jo në përmasat e huliganizmit anglez të viteve 70-të e 80-të, por gjithsesi i frikshëm, siç po e tregon sjellja e një pjese të tifozëve të Napolit ndaj lojtarëve të tyre.

Mjaftoi një konflikt normal mes “punëtorëve” dhe “padronëve”, një thyerje e urdhërit të presidentit për izolim të skuadrës, që ultrasit të dilnin haptazi duke u hakërryer. Pasi akuzuan lojtarët si mercenarë, dhe i kërkuan dorëheqje edhe De Laurentisit, ata e përshkallëzuan aksionin e tyre, duke u hedhur në sulm fizik ndaj banesave dhe familjeve të yjeve të ekipit. Mediat informojnë se futbollistët janë larguar nga shtëpitë, kanë larguar edhe familjet, duke pasur frikë për jetën dhe shëndetin e tyre.

Në çdo biznes tjetër, përplasja e lojtarëve me presidentin do të ishte quajtur luftë sindakale, për të drejtat e punonjësve, por futbolli nuk është biznes si të tjerët, por edhe përfaqësues i një qyteti, dhe dashuria (e verbër) e tifozëve. Siç thotë shprehja, “më lehtë lihet gruaja, se skuadra e zemrës”. Si mund të shpëtohet nga ky rrezik? Kur të gjendet mënyra që futbolli të mos jetë më dalldi, por një sport amator, atëherë mund të kemi shpresë.

Sfidanti.al