“I fundmi i mohikanëve” duket se është ende Rafael Nadali!

Nëse Rozher Federer duket se po bie viktimë e moshës 38-vjeçare, e Novak Gjokoviç sikur e ka humbur disi shkëlqimin, mbetet edhe një i pamposhtur nga treshja e madhe e tenisit. Rafael Nadal arriti një fitore si ato të vetat, me një reagim të fuqishëm ndaj rusit të shkëlqyer, Danil Medvedev. Rivali i tij kishte fituar setin e parë 7-6, pastaj Nadali kishte fituar të dytin, 6-4, por gjatë setit të tretë, rusi arriti avantazhin e thellë 5-1. Aty filloi mrekullia e Rafës që arriti një fitore 7-6, diçka që e ai vetë e quajti më pas si “një gjë që ndodh një herë në 1 000 ndeshje”.

Natyrisht, Nadali ende nuk është kualifikuar për në gjysmëfinalet e Finaleve të Mastersit ATP, pasi do t’i duhet suksesi ndaj Stefanos Cicipasit, veçse tregoi se shpirti i tij i pathyer mbetet po i njëjti. Në formën e duhur fizike, Nadali mund të mundet vetëm nga një “mbinjeri” si Gjokoviç. Mes të dyve po luftohet jo vetëm për titullin në Londër, por edhe për vendin e parë në renditje në fund të vitit, dhe nëse spanjolli arrin në finale, ai do ta përfundojë 2019-ën si i tillë.

Sfidanti.al