E festuan në mënyrë të veçantë titullin në Spanjë pak ditë më parë. Vajzat e skuadrës së futbollit të Barcelonës u hodhën në pishinë, pranë detit në qytetin e tyre të dashur, dhe kjo ishte mënyra më e mirë për të zbrazue emocionet përpara ndeshjes më të madhe të sezonit. Në stadiumin e Goteborgut, femrat “blaugrana” luajtën dhe fituan me meritë të plotë finalen e Ligës së Kampionëve përballë Çelsit të Londrës, me shifrat 4-0. Ishte një recital katalanas që solli katër rrjeta që në 45 minutat e para, ndërsa pas pushimit ato e ulën disi ritmin sepse nuk kishte më kuptim.
Çelsi ishte me pretendime pas eleminimit të Bajernit në gjysmëfinale, por përballja tregoi se diferenca mes dy ekipeve ishte tepër e madhe. Melani Lojpolc, kapitenia Aleksia Putejas, Aitana Bonmati dhe Karolinë Hansen ishin autoret e golave. Barça është gjashtë herë kampione e Spanjës, madje këtë sezon e fitoi titullin 8 javë para fundit të La Ligës, me 26 fitore në 26 ndeshje, dhe me 128 gola të shënuar. Finalja ishte lindja e dy fuqive të reja në futbollin europian të femrave.
Barcelona e Çelsi nuk mund të maten aspak me emrin e Lionit, Frankfurtit, Umeas, Volfsburgut apo Potsdamit, ndërsa gjermanet dhe francezet kanë dominuar për vite me radhë. Për katalanaset, kthesa nisi pas finales së humbur 1-4 me Lionin në 2019. Që nga ajo kohë, klubi e vendosi ekipin e femrave mbi bazat e filozofisë së Johan Krujfit, ashtu si djemtë e Lionel Mesit, dhe suksesi nuk vonoi të vinte. Me ekipin e Mesit që po zhgënjen, tifozët shpresojnë që të jenë vajzat që të hapin një cikël të madh.
Sfidanti.al