Nga Barcelona e larguan sepse e quajtën “kali plak”. Lionel Mesi bëri gjithçka që Luis Suarez të mos thoshte “lamtumirë”, por trajneri Ronald Kuman e kishte vendosur, e gjithsesi llogaritë bëhen në fund. Sulmuesi uruguajan iu përgjigj Kumanit me 20 gola deri tani në La Liga, në 31 ndeshje, duke treguar se çfarë sulmuesi race është. Falë golit të tij në minutën e 88-të ndaj Osasunës, Atletiko fitoi 2-1 dhe mbajti kreun e kampionatit, duke qenë vetëm një fitore larg titullit kampion.
Suarezi, gjithsesi, nuk mendon sot për Barcelonën, as për Kumanin, por për Atletikon. “E di se duhet të vuash për të fituar titullin, – tha ai, – por, nuk e kisha menduar se duhet të vuash kaq shumë. Gjithsesi, duhet të mësohemi dhe kjo ishte një ndeshje më shumë ndër të tjerat. Gjithë bota thotë se tek Atletiko vuan shumë, por nuk e mendoja në këtë nivel. Megjithatë, dakord, rëndësi ka që fituam, sakrifica, rraskapitja nuk shkuan kot, jemi shumë njerëz që po punojmë për të arritur objektivin. Le të gëzojmë për pak orë, të pushojmë dhe të përgatitemi për ndeshjen e fundit”. Atletiko ka 83 pikë ndaj 81 të Realit, ndërsa Barcelona mbeti prapa me 76 pas humbjes 1-2 me Seltën në “Kamp Nou”.
Sfidanti.al