Uestbruk, ylli i Oklahomës dëshiron rekordin dhe numrin 1

Kush është lojtari më spektakolar i sezonit në NBA? Padyshim Rasëll Uestbruk! Kush po arrin dalë nga dalë drejt mesatares “tripëll dabëll” në edicion? Sërish Rasëll Uestbruk! Kush është favorit për t’u shpallur lojtari më i mirë në 2016-2017? Gjithmonë, Rasëll Uestbruk! Pavarësisht se Oklahoma nuk mund të quhet një nga ekipet më të mirë të kampionatit, ajo ka arsye për t’u mburrur.

Uestbruk ishte vendimtar në suksesin ndaj San Antonios, skuadrës së dytë më të mirë të sezonit, duke shënuër 23 pikë, duke kapur 13 topa në tabela dhe duke shërbyer 13 asistë ndaj ekipit me mbrojtjen më të fortë në ligë. Pyetja që bën vetë NBA është: Ku e gjen ky njeri gjithë këtë energji, që vazhdon e vazhdon pa u ndalur? Taj Gibson thotë se “ai nuk është human”, Dag Mekdermot shton se “unë nuk di asnjë mënyrë tjetër sesi ta përshkruaj”.

Pasi shënoi 58 pikë (rekordi i karrierës) në humbjen ndaj Portlendit, Uestbruk shkëlqeu kundër San Antonios, dhe trajneri i kësaj të fundit, Greg Popoviç, u shpreh se e admiron shumë. “Unë kam qenë tifoz i Oskarit (Robertsonit), dhe shikoja ndeshjet e tij kur isha fëmijë, – thotë veterani i stolit, – por, kjo që po bën Rasëll është një mrekulli, është diçka e pabesueshme, ai është një sasi kaq e madhe energjie e mbledhur së bashku, një djalë shumë i mirë, dhe unë jam shumë i lumtur për të”.

Uestbruk ka 31.9 pikë për ndeshje në sezon, 10.6 topa në tabela dhe 10.1 asiste për takim. Ai arriti “tripëll dabëllin” e 31-të në edicion duke u barazuar me rekordin e dytë më të mirë të të gjitha kohëve në NBA, mbajtur nga Uilti Çembërlen. Kur kanë mbetur edhe 18 takime, i duhet ta përsërisë edhe 10 herë për të barazuar Oskar Robertsonin. Rasëll është edhe favoriti për t’u shpallur Lojtari më i mirë i sezonit, ndërsa pranë tij është Xhejms Harden, dhe pak më prapa Lebron Xhejms dhe Koui Leonard.

Sfidanti.al