Trajneri gjerman dalë nga dalë është kthyer në një figurë qendrore të profesionit, dhe pas përvojës në vendin e tij me Maincin e Dortmundin, mund të thuhet se i fitoi gradat tek Paris SG e tani me Çelsin. Tomas Tuhel ia doli të fitonte Superkupën e Europës me Blutë e Londrës, duke ia shtuar Championsit të fituar po me këtë ekip në finalen ndaj Mançester Sitit. Kjo, pas finales së humbur në Champions me Paris SG, ku u mposht minimalisht 0-1 nga Bajerni. Jo keq për një teknik ende të ri në moshë, tepër ambicioz dhe që ka treguar se di të drejtojë yje. Në finalen e Superkupës ndaj Vijarrealit, të fituar vetëm pas penalltive, ai vendosi një bast duke zëvendësuar portierin Mendi me portierin e dytë, Kepa. Spanjolli, i marrë për 72 milionë paundë stërlina, priti dy penallti duke siguruar trofeun për anglezët. Çelsi ishte skuadra më e mirë duke mbajtur topin 62 për qind, me 20 gjuajtje ndaj 12 të spanjollëve dhe 7 në kuadrat ndaj 5. Anglezët patën 9 goditje nga këndi ndaj 5 dhe 725 pasime kundrejt 404.
Sfidanti.al