Totenhem-Liverpul, si një finale Premier Lige në “Uembli”

Padyshim, një nga sfidat më të bukura që mund të ofrojë kampionati anglez në orën 13:00. Për fat, do të luhet (ende) në “Uembli”, pra rreth 90 000 tifozë pritet të jenë në shkallët e stadiumit për të ndjekur një Totenhem-Liverpul, një garë për titull. Londinezët prej disa vitesh në nivele të larta dhe në Champions, liverpulasit po ashtu në ngritje nën drejtimin e trajnerit Jurgen Klop.

Vera e kaluar nuk kishte si bëhej më e ndryshme për dy klubet. Totenhemi, i mbytur deri në grykë me shpenzimet për stadiumin e ri, nuk mori asnjë përforcim, edhe pse mbajti yjet Ali, Kejn, Joris, Vertongen apo Eriksen.

Liverpuli, në të kundërt shpenzoi 150 milionë paund stërlina (rreth 170 milionë euro) për të sjellë në “Anfild” portierin Alison, Keitën, Fabinjon e Shaqirin, duke bërë më të fuqishme, një organikë që ishte e fortë edhe vjet, dhe që arriti finalen e Championsit.

Totenhemi do të ketë mungesën e portierit Joris të dëmtuar, dhe të sulmuesit Ali, dhe Poçetino mund të luajë me skemën 3-4-3, ku Kejn do të jetë në majë të sulmit, ndihmuar nga Lukas Moura dhe Eriksen. Liverpuli mund të përgjigjet me një ekip që do të shfrytëzojë shpejtësinë e Salahut dhe Manesë, për të depërtuar në hapësirat që do të lerë skuadra vendase.

Sfidanti.al