Tomas Myleri është “talismani” i Bajernit, e ndihmon të mos mundet

Ka një sekret që tani nuk është më edhe aq sekret. Bajerni ia del të mos humbasë nëse sulmuesi i tij i njohur, Tomas Myler, arrin të bëjë detyrën siç duhet. Karlo Ançeloti nuk e kishte dalluar këtë statistikë, por Jup Hajnkesi e pati vëmendjen e duhur. Nëse Tomas Myler shënon, bavarezët ose fitojnë, ose barazojnë. Kjo ka ndodhur në 62 ndeshjet e fundit kur numri 14 ka tundur rrjetën, qofshin në Bundesligë, Champions apo Kupë e Gjermanisë.

Jo vetëm kaq, por numri i barazimeve është vetëm 3, ndërsa ai i fitoreve plot 59. Me Hajnkesin, Myleri është kthyer në Mylerin e parë, sulmues aspak i bukur dhe elegant, por shumë efikas. Dy golat e tij ndaj Beshiktashit, ishin kontribut i madh për suksesin që praktikisht e ka kualifikuar kampionen e Gjermanisë për në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.

Ekipi i fundit që pësoi gol nga Myleri, por që e mundi Bajernin mbetet Mançester Siti, dhe kjo ka ndodhur në dhjetor 2013. Që nga ajo kohë, 62 ndeshje me gola dhe pa humbje, në të cilat Tomasi ka realizuar 81 herë.

Sfidanti.al