Një gjetje e vërtetë, që u doli para syve Manuel Nojerit e yjeve të tjerë bavarezë ndërsa po shkonin nga hoteli i karantinës për në kompleksin stërvitor të të rinjve në Mynih. Bajerni përgatitet për ndeshjen e parë “fantazmë” (pa tifozë), dhe një pjesë e tifozëve nuk janë aspak të kënaqur. Disa prej tyre vizatuan (grafiti) në murin e një kabine elektrike pranë kompleksit bavarez, figurën e ish-trajnerit Karlo Ançeloti, me gishtin e mesit të dorës së majtë të nxjerrë në mënyrë ofenduese.
Përshkrimi i grafitit ishte: Leksioni që ne duhet ta mësojmë, në djall me ndeshjet fantazmë”! Në të vërtetë, tifozët ishin treguar më pak elegantë se kaq, pasi kishin shkruar fjalën italisht “vaffanculo”, që është një “kompliment” shumë i fortë. Tifozët e zjarrtë të Bajernit, ashtu si tifozët e tjerë ultras në Europë, nuk janë dakord me ndeshje të tilla, dhe perifrazuan fjalët që Ançeloti tha për të përditshmen franceze, “L’Ekip” në prill. “Kjo është një luftë, – tha ai për koronavirusin, – pas saj do të jetë si pas një lufte, padyshim që bota po ndryshon. Kjo që po ndodh është një leksion që duhet ta mësojmë, dhe shpresoj që kjo të na bëjë më të mirë në të ardhmen”.
Sfidanti.al