Impakti i pandemisë Coronavirus te futbolli evropian ishte shumë i madh dhe efektet e krizës rrezikojnë që të zgjaten akoma më shumë. Për këtë arsye, UEFA po studion për disa modifikime në rregullin e Fair Play Financiar me synimin për të ndihmuar klubet duke iu dhënë atyre një hapësirë më të madhe manovrimi.
Lajmi bëhet i ditur nga RMC Sport sipas së cilës, një prej modifikimeve kryesore të këtij rregulli është zgjatja e afatit kohor për të analizuar bilancet e skuadrave nga 12 në 24 muaj, ndërsa pasivi i autorizuar do të rritet nga 30 në 60 milionë Euro
Po kështu, është hedhur ideja edhe e pezullimit të auditimeve për vjeshtën e vitit 2020 dhe shtyrja e tyre direkt për në atë të 2021 ku do të analizohen bilancet e sezoneve 2019/2020 dhe 2020/2021 dhe e gjithë kjo pritet të ratifikohet në një kohë shumë të shkurtër. Sigurisht nuk kemi të bëjmë me nje revolucion të vërtetë përsa i përket rregullit të Fair Play financiar, por me siguri është një lehtësim për klubet për të përballuar këtë situatë emergjente të papritur.
Sfidanti.al