Që nga Argjentina erdhën pamjet prej aeroportit. Babai i Lionel Mesit, Horge, mori avionin në Rozario dhe fluturoi drejt Barcelonës për takimin ndoshta vendimtar për të ardhmen e djalit të tij. Disa orë më vonë, pamjet filmike ishin nga aeroporti “Los Prats” i Barcelonës, ku i ati dhe agjenti i Mesit nuk deshi të jepte sqarime për gazetarët. Gjithsesi, lajmet nga Spanja dhe Europa nuk mungojnë aspak, ndërsa besohet se bisedimet do të jenë të vështira e do të duhen disa ditë që të arrihet një marrëveshje.
Mesi dëshiron të largohet nga Barcelona, pas 20 vitesh në klub, dhe të shkojë tek Mançester Siti i Guardiolës. Pasi fitoi 33 trofe e shënoi rreth 650 gola për katalanasit, kapiteni nuk ka besim tek projekti i presidentit Bartomeu. Me gjasë, ai ka akord me Sitin, mbi bazën e një kontratë 5-vjeçare për të luajtur 3 sezone me skuadrën e Guardiolës, e më pas dy vite të tjera në klubin që zotërojnë sheikët në ligën amerikane të futbollit. Marrëveshja thuhet se është arritur mbi bazën e 700 milionë eurove.
Gjithsesi, duhet të gjendet fjala edhe me Barcelonën. Presidenti Bartomeu, sipas gazetave të Madridit, e di se nuk mund të kërkojë 700 milionë euro sipas klauzolës së kontratës së Mesit, që përfundon verën e ardhshme. Po ashtu, ai nuk dëshiron të hyjë në histori si presidenti që humbi dy superyjet e ekipit, Nejmarin e tani Mesin, ndaj do të përpiqet ta bindë argjentinasin që të qendrojë.
Nga ana tjetër, vetë numri 10 nuk dëshiron të shkojë në gjyqe, pra do të preferonte një marrëveshje, për t’u larguar kundrejt një shume të rëndësishme, të themi 200 milionë euro. Tifozët katalanas, të pyetur nga gazetarët, janë kundër klubit, por gjithashtu deklarojnë se një kapiten nuk mund ta braktisë varkën në këtë mënyrë, në momentin më të vështirë. Ata duan që Mesi të mos largohet dhe kanë një qortim edhe për të.
Gjithsesi, çdo gjë është ende në ajër, ndërsa Barcelona ka nisur fazën përgatitore pa kapitenin. Ekipi kaloi testet për koronavirusin, ndërsa ditën e djeshme lojtarët dolën në fushë nën drejtimin e trajnerit Ronald Kuman, i cili dëshiron të hapë një faqe të re në historinë e klubit.
Sfidanti.al