Kombëtarja me 3-5-2 në Bjellorusi, por trajneri Reja numëron mungesat e problemet!

Nuk duan të luajnë në mbrojtje, por as të bëjnë aventurë. Në kombëtaren shqiptare po mendojnë mënyrën më të mirë për të marrë pikët në fushën e Bjellorusisë, në ndeshjen e Ligës së Kombeve këtë të premte. Burime pranë kombëtares bëjnë me dijë se trajneri Reja po mendon për skemën 3-5-2 për sfidën e Minskut, me synim që të kontrollojë mesfushën.

Problemet nuk mungojnë për italianin sepse ka lojtarë që nuk janë të gatshëm. Përveç Kumbullës së dëmtuar që në Itali, në listën e mungesave u shtuan Ismajli, Memolla e Ramadani.  Berat Gjimshiti mbetet ende në dyshim për shkak të lodhjes së sezonit me Atalantën, dhe faktit se ka bërë disa ditë pushim. Në mbrojtje mund të jetë treshja Veseli-Dermaku e pikërisht Gjimshiti.

Në qendër të mesfushës pritet kthimi i Abrashit, ndërsa Bare e Gjasula duken “të blinduar”. Në krahë, në dyshim është Roshi i cili ka pasur një goditje gjatë ndeshjeve të Premier Ligës së Rusisë. Pasojat ishin thjesht enjtje, por gjithsesi nuk mund të thuhet me 100 për qind se Roshi është i gatshëm. Në fushë pritet të jenë Hysaj e Trashi, ndërsa në sulm mendohet për dyshen Cikalleshi-Manaj, edhe pse nuk mund të përjashtohet në asnjë mënyrë një lojtar i Armando Sadiku.

Formacioni (3-5-2): Strakosha – Veseli, Dermaku, Gjimshiti – Hysaj, Gjasula, Bare, Abrashi, Trashi – Cikalleshi, Manaj.

Sfidanti.al