Volfsburgu ka më shumë frikë koronavirusin në Shqipëri sesa Kukësin!

Do të kishin dashur një short tjetër, por jo për arsye sportive. Tek Volfsburgu në Gjermani, por edhe në disa media, ka alarm për duelin ndaj Kukësit në turin e dytë të Ligës së Europës. “Udhëtim në një zonë të rrezikshme”, titullon media gjermane, “Sport Bazer”, që nënkupton sidomos problemet me koronavirusin, dhe shpreh shqetësimin për sigurinë shëndetësore të lojtarëve.

“Ne do të interesohemi dhe do të marrim informacion për kushtet lokale, – u shpreh Jërg Shmadke, menaxheri i skuadrës gjermane, – për momentin nuk mund të flas shumë, sepse nuk kam informacion për futbollin shqiptar”. Mediat gjermane kanë përmendur menjëherë se Zyra Federale për të huajt ka theksuar se turistët gjermanë duhet të shmangin udhëtimet e panevojshme drejt Shqipërisë. Ambasada gjermane në Tiranë ka informuar se në Shqipëri aplikohen masat mbrojtëse ndaj virusit, ndërsa faktor lehtësimi për Volfsburgun është se ndeshja do të luhet në stadiumin modern “Arena Air Albania” dhe pa praninë e tifozëve.

Në Gjermani vlerësojnë se Kukësi është skuadër e mirë shqiptare, që doli kampion në 2017, fitoi trofe në 2016 e 2019, ndërsa paralajmërojnë se në 2015 një lojtar i Legias së Varshavës u godit me kokë në një ndeshje të Ligës së Europës ndaj Kukësit në Tiranë. Vetë Volfsburgu është një skuadër e fortë e Bundesligës, që ka pretentime në Ligën e Europës. Vetëm 3 skuadra në short kishin koeficient më të madh sesa gjermanët, Totenhemi, Bazeli dhe FC Kopenhageni, ndërsa të tillë si Milani, Gallatasaraji apo Gllazgou Rejnxhërsi kanë koeficient më të ulët.

Sfidanti.al