Për fat të keq, në futbollin e sotëm nuk mund të kalonte pa hije të zeza as lamtumira e një legjende si Xhon Terri. Kapiteni i Çelsit i dha fund me futbollin të dielën e kaluar, dhe klubi i tij, Çelsi, kishte kurdisur diçka. Sandërlendi, ekipi kundërshtar, u kandis që ta nxirrte topin jashtë vijave anësore në minutën e 26-të, në mënyrë që Terri, me fanelën me numrin 26, të dilte pikërisht në atë moment nga fusha e lojës. Ashtu ndodhi, Terri i dha shiritin Geri Kejhillit dhe u largua, për të pritur fundin e takimit dhe përshëndetjen me tifozët, veçse në një vend futbolli si Anglia, kjo kurdisje nuk u pëlqye.
Mediat e kritikuan ashpër Çelsin, që manipulon veten dhe kundërshtarët për të realizuar një shfaqje teatrale për asnjë vlerë, përveçse për efekte afatshkurtëra. Jo vetëm kaq, por Federata Angleze ka hapur një hetim pasi u mor vesh se 3 baste u fituan duke parashikuar që kapiteni i bluve do të dilte nga fusha pikërisht në minutën e 26-të. Sipas të dhënave, në këto baste u fituan 3 500 paund stërlina.
Sfidanti.al