Tallja me flakën olimpike në vendin ku sporti thuajse ka vdekur!

Vetë presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON), Tomas Bah, nuk ngurroi të vinte në Shqipëri, të takonte kryeministrin tonë, dhe të ngrinte në qiell sukseset që, sipas tij ka arritur sporti ynë. Kjo, me rastin e ardhjes së Flakës Olimpike në Tiranë, dhe përurimit të një ndërtese që cilësohet si selia e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH).

Kjo, në një vend që nuk ka asnjë pistë atletike në kryeqytetin e tij, edhe pse atletika është “mbretëresha e sporteve”. Kjo, në kryeqytetin Tiranë, që ka (sipas Prof. Dr. Albert Karriqit) 40 herë më pak sipërfaqe sportive për banor sesa vendet e rajonit (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi, Serbia etj.), dhe kjo në vendin ku njëri nga atletët më të mirë, Izmir Smajlaj, stërvitet në një pedanë të sajuar me vështirësi në Kodrat e Liqenit Artificial në Tiranë.

Mirë drejtuesit e qeverisë, shtetit dhe sportit tonë që bëjnë fushatë elektorale edhe kur janë në gjumë, por i nderuari Zoti Tomas Bah, nuk kishte mundësi të merrte informacion përpara sesa të vinte dhe të “bilbiloste” për ta bërë të zezën të bardhë në Shqipëri? Kjo duket si ajo që ndodhi në vitet 80-të të shekullit të kaluar, kur Shqipëria fitoi çmimin e ushqimit nga OKB-ja, ndonëse ne ishim katandisur me tallon.

Sfidanti.al